Vaksinat anti-COVID shkak i vizitës së Varhelyi në Kosovë

Vaksinat anti-COVID shkak i vizitës së Varhelyi në Kosovë

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, do të vizitojë Kosovën të mërkurën, për shkak se në vendin tonë do të arrijnë vaksinat e para anti-COVID të financuara nga Bashkimi Evropian për periudhën maj-gusht.

Bashkimi Evropian, ka ndarë vaksina për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Për Kosovën i ka në dispozicion 95 mijë të cilat nuk mbërrijnë në tërësi  deri në fund të gushtit.

Pos Kosovës Yarhelyi, do t’i vizitojë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përcjell Insajderi.

“Do të udhëtojë në # Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme pasi vaksinat e para # të financuara nga BE # COVID19 mbërrijnë në rajon”, ka shkruar komisioneri në Twitter.

Përndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të enjten në Bruksel se “vaksinat arrijnë javën tjetër”.

Kosova ka pranuar vetëm 24 mijë vaksina nga programi COVAX dhe është vendi që ka siguruar më së paku vaksina në Evropë.

Për këtë zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka thënë para euro-deputeteve se “Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka pranuar vaksina nga Kina dhe Rusia”. /Insajderi.com