Vaksinohet Abdixhiku

Vaksinohet Abdixhiku

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është vaksinuar me dozën e parë AstraZeneca, njofton Insajderi.

Siç ka bërë të ditur ai, vaksinimin e ka bërë në Qendrën e Vaksinimit, Salla 1 Tetori në Prishtinë.

Përmes një postimi në Facebook, ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të bëjnë të njëjtën gjë.

“Kur në marsin e vitit të shkuar, si Ministër Qeverie, në papritshmërinë më të madhe politike e jetësore, isha ballafaquar me sfidën më të rëndë globale, ishin pjesëtarët e stafit shëndetësorë që bënin gjithë punën në vijë të parë. Janë të njëjtit, mantelbardhët, që vazhdojnë 16 muaj më pas të qëndrojnë në vijën e parë të detyrës dhe të shërbejnë që nga atëherë, pa hezitim”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai tutje është shprehur se “nuk ka alternativë tjetër për ta mposhtur sfidën e stërzgjatur përpos vaksinimit”.

“Na duhet ta arrijmë sa më parë imunizimin kolektiv, e kështu t’i mbrojmë qytetarët tanë në rrezikshmëri. Prandaj, ta përfundojmë sa më pare”.

Përveç Abdixhikut, vaksinën kundër COVID-19 e kanë marrë edhe figura të tjera politike, përfshirë edhe tre krerët e shtetit, kryeministrin Albin Kurti, Presidenten Vjosa Osmani si dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca./Insajderi.com