Vaksinohet ministrja Nagavci, fton të gjithë mësimdhënësit ta bëjnë të njëjtën

Vaksinohet ministrja Nagavci, fton të gjithë mësimdhënësit ta bëjnë të njëjtën

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ka marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, ku bëri të ditur se është imunizuar të mërkurën e 7 korrikut, dhe ka marrë vaksinën AstraZeneca.

“Dje pasdite u paraqita në kohën e caktuar, për të marrë dozën e parë të vaksinës. Organizimi ishte i shkëlqyer, rend dhe rregull, kujdes maksimal. Pashë që disa qytetarë shprehnin shqetësim në lidhje me vaksinën AstraZeneca kundër Covid-19. Unë u vaksinova më dozën e parë të kësaj vaksine, aplikova online si gjithë tjerët, ndoqa procedurat dhe udhëzimet dhe mora vaksinën që ofrohej e që është e aprovuar nga OBSH”, thotë Nagavci.

Ajo më tej ka ftuar të gjithë punonjësit e institucioneve të arsimit që të vaksinohen në mënyrë që të fillojë një vit i ri shkollor me prezencë fizike.

“Ftoj të gjithë mësimdhënësit dhe punëtorët e institucioneve arsimore që të vaksinohen dhe të jemi gati për fillimin e vitit të ri shkollor me prezencë fizike, ashtu si dhe gjithë qytetarët të mos kenë hezitime, në mënyrë që të ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve”, ka shkruar Nagavci.

Përveç ministres së Arsimit, sot u vaksinua edhe ai i Shëndetësisë, Arben Vitia, me po të njëjtën vaksinë.

Vitia pasi mori vaksinën iu drejtua mediave, ku tha se të gjitha vaksinat janë të sigurta dhe nuk ka arsye për t’u refuzuar asnjëra nga llojet që Kosova i ka në stok. /Insajderi.com