Valbon Krasniqi premton cilësi të shërbimeve në spitale

Valbon Krasniqi premton cilësi të shërbimeve në spitale

Drejtori i ri i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka bërë premtimin e parë pas emërimit në këtë pozitë, njofton Insajderi.

Krasniqi ka premtuar avancim të cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e besimit të qytetarëve në spitalet e vendit.

Ai po ashtu është shprehur se Kosova do të jetë shembull i mirë i menaxhimit të pandemisë COVID-19.

“Një vit më parë kur u konfirmuan rastet e para me COVID-19 besuam fuqishëm se ne bashkërisht do t’ia dalim. Edhe tani, kur po qarkullojnë variante të reja të këtij virusi, e kemi po të njëjtin besim.

Me përkushtim maksimal, transparencë, llogaridhënie e punë ekipore do te jemi një shembull i mirë i menaxhimit të pandemisë. Por jo vetëm kaq: spitalet tona do të jenë përherë në shërbim të qytetarëve në nevojë. Do të avancojmë cilësinë e shërbimeve dhe rritjen e besimit të qytetarëve në spitalet tona”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi në Facebook./Insajderi.com