Valdet Hashani: Nuk kam marrë asnjë dëshmi për gjendjen e Agon Musliut

Valdet Hashani: Nuk kam marrë asnjë dëshmi për gjendjen e Agon Musliut

Ish-menaxheri i Qendrës së Karantinës Valdet Hashani ka dëshmuar sot para anëtarëve të Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës, njofton Insajderi.

Dëshmia e tij kryesisht kishte të bënte me vdekjen e dyshimtë të të riut Agon Musliu në këtë qendër.

Hashani tha se si menaxher nuk ka pranuar asnjë dëshmi, e cila tregon për gjendjen e të ndjerit. Madje ai tha se dosja e pranuar nga ekipet mjekësore nuk paraqet asnjë diagnozë se 26-vjeçari nga Gjilani vuante nga ndonjë sëmundje.

Ai para komisionit ka thënë se ka filluar punën më 6 prill, dhe deri më 31 maj nuk ka pasur asnjë ditë pushim dhe se këtë detyrë e ka pranuar nga ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi.

Anëtari i këtij komisioni nga AAK, Shkumbin Demalija u interesua të di se mbi çfarë vendimi janë liruar të karantinuarit me COVID-19 dhe nëse ka pasur ndonjë kërkesë konkrete për lirim të ndonjërit prej tyre nga ana e ish-ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në përgjigjen e tij Hashani tha se ministri Vitia askënd nuk e ka liruar pa dosje mjekësore. E Demalija u interesua të di se edhe sa kohë ka qëndruar në karantinë Agon Musliu, i cili kreu vetëvrasje në maj të këtij viti.

Ish-menaxheri i Qendrës së Karantinës, Valdet Hashani tha se ai në këtë qendër është pranuar më 2 maj dhe aty ka qëndruar vetëm një natë. Sipas tij, qendra nuk ka poseduar asnjë dokument nga familja Musliu apo ekipet mjekësore që flasin për gjendjen jo të mirë shëndetësore të Agon Musliut.

Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar psikolog apo psikiatër për Musliun vetëm pas një mesazhi telefonik që e ka marrë nga ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, të cilin e ka pranuar një ditë pas pranimit të të ndjerit në karantinë.

Hashani tha se ndihmë psikologjike ishte duke kërkuar për dy të karantinuar të tjerë që ishin më keq dhe se nuk kishte asnjë sinjal nga Agon Musliu se ishte në gjendje jo të mirë./Insajderi.com