
Pas dorëheqjes së drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Agron Selimaj, një gjë të tillë pritet ta bëjë së shpejti edhe Inspektori i Përgjithshëm në këtë institucion, Shkëlzen Sopjani.
Insajderi mëson prej burimeve të veta se Sopjani do të ofrojë dorëheqjen e tij për të evituar shkarkimin ndërsa arsyeja e largimit të tij është për shkak të keqpërdorimeve të shumta në AKI.
Insajderi ka kontaktuar me Sopjanin i cili nuk ka dashur të komentojë lidhur me mundësinë e largimit të tij.
“Më tregoni ju mua”, ka thënë ai, kur është pyetur nëse do të japë dorëheqje. Pastaj, ai ka refuzuar të përgjigjet në pyetje të tjera, para se të ndërpriste bisedën telefonike.
Në letrën dërguar Kryeministrit Isa Mustafa dhe Presidentit Hashim Thaçi nuk janë dhënë detaje të arsyes së dorëheqjes.
Por, Insajderi kupton se ashtu sikurse Sopjanit, edhe Selimajt i është kërkuar dorëheqja në mënyrë që të shmanget shkarkimi./Insajderi.com