Valon Murati: Mos e dëmtoni popullin për shkak të një njeriu

Valon Murati: Mos e dëmtoni popullin për shkak të një njeriu

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duhet ndarë nga ideja e tij për korrigjimin e kufirit.

Ai ka thënë se të gjithë ata që janë kundër idesë së korrigjimit, janë duke i bërë dëm të madh Kosovës

“Mos e dëmtoni popullin për shkak të një njeriu”, ka nisur një tekst Murati në faqen e tij në Facebook, duke iu dalë kundër atyre që janë kundër korrigjimit.

“Ridefinimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë është rruga e duhur për ta funksionalizuar shtetin e Kosovës, për ta bashkuar Kosovën Lindore me Kosovën duke ia dhënë të njëjtën të drejtë serbëve atje ku janë shumicë në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok. Mundësia për të biseduar për këtë çështje është një rast që nuk vjen shpesh”.

“Andaj, t’i ndajmë dy gjëra: Presidentin Thaçi si riaktualizues të kësaj ideje dhe vet idenë e konceptin. Të gjithë ata që po dalin kundër idesë, për shkak të propozuesit po i bëjnë dëm të madh Kosovës dhe çështjes kombëtare shqiptare”.

Sipas Muratit është krejt legjitime të ketë dilema për propozuesin, por kjo sipas tij nuk kërkon goditje të idesë, por përfshirje të të gjithë atyre që kanë dyshime në kredibilitetin e presidentit, dhe madje me kërkesë për ta udhëhequr këtë proces kaq delikat.

“Po ta kërkonin këtë, sidomos LVV por edhe LDK, do të ishin parimore, përndryshe janë vetëm shfrytëzuese manipluative të situatës për të fituar një votë më shumë, por për ta dëmtuar rëndë të ardhmen e vendit”.