Varhelyi i shkruan Kurtit, i kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë

Varhelyi i shkruan Kurtit, i kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i ka shkruar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, nga i cili ka kërkuar rinisje të shpejtë të dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë, njofton Insajderi.

“Kthimi i perspektivës evropiane në realitet për Kosovën kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë dhe normalizim raportesh mes dy vendeve”, thuhet në letrën e tij.

Në një letër urimi për Kurtin për marrjen e postit të kryeministrit, Varhelyi ka thënë se qytetarët e Kosovës i kanë dhënë Kurtit mandatin për të bërë reforma në sundim të ligjit e për zhvillim socio-ekonomik dhe për një ekonomi më të pastër.

Komisioneri i BE-së gjithashtu ka thënë se mezi pret që të takohet me shefin e Qeverisë së Kosovës.

Më tej, ai ka shtuar se luftimi i pandemisë mbetet prioritet kryesor:

“Luftimi i pandemisë së COVID-19 dhe pasojave të saj socio-ekonomike do të mbetet një prioritet kryesor për të ardhmen e parashikueshme. BE-ja tashmë ka siguruar ndihmë thelbësore dhe do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës gjatë kësaj kohe sfiduese”/Insajderi.com