Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, ka konstatuar të premten se Shqipëria I ka përmbushur kushtet për fillimin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa Maqedonia e Veriut ende jo, transmeton Insajderi.
Kështu u shpreh Varhelyi gjatë Forumit Ekonomik të Tiranës, i cili u mbajt online.
Varhelyi lavdëroi punën e kryer nga Shqipëria dhe vlerësoi se BE po bën të pamundurën për t’iu përmbajtur zotimeve të saja për sa i përket projektit të zgjerimit.
Mirëpo, nga Maqedonia e Veriut ai kërkoi më shumë punë, duke i vënë në dukje problemet me Bullgarinë për sa i përket disa pikave rreth historisë.
“Maqedonia e Veriut ka zhvilluar një ritëm të qëndrueshëm në zbatimin e reformave për në BE, në veçanti në sferën e të drejtave themelore. Është e rëndësishme që sa më shpejtë të gjenden zgjidhje të pranueshme për çështjet e pazgjidhura midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë,” – tha Varhelyi, raporton Euroneës.al.
Kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev, u përgjigj se Shkupi pret prej 16 vitesh nisjen e bisedimeve për anëtarësim, se përpjekjet për reforma vazhdojnë ndërsa për çështjen me Bullgarinë tha se po punohet, por theksoi se “për identitetin maqedonas nuk mund të bëhet kompromis”. /Insajderi.com