Varianti i ri i Coronavirusit do të ndikojë në mënyrë direkte tek popullata dhe do shkaktojë shqetësime në shëndetin mendor të tyre.
Kështu ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli, i cili tha se jo vetëm variant i ri që po qarkullon, por çdo gjendje gripoze e cila ka simptomat e njëjta do të shkaktojë shqetësime psikologjike tek njerëzit.
Sipas Havollit, një fenomen tjetër me të cilin do përballemi shumë shpejt është stresi pastraumatik, që do rikthehet dhe ri përjetohet çdoherë kur në Kosovë ka gjendje gripoze dhe tashmë edhe me variantin e ri ka shumë mundësi që individët ta përjetojnë atë.
Ai mes tjerash është shprehur se hapësira e munguar institucionale, dhe mundësia e ofrimit të një qendre rehabilitimi do krijojë vështirësi në të ardhmen.
“Ashtu siç nuk kemi punuar asgjë deri sot me veteranët e luftës të cilët përjetojnë stresin pastraumatik, ashtu nuk kemi punuar dhe nuk e shohim hapësirën institucionale ku institucionet tona kanë me ofrua një qendër rehabilitimi për punën e personave të cilët përjetojnë stresin pastraumatik sepse këta persona që përjetojnë këtë stres, janë persona që kanë probleme, që janë barrë edhe për familjen por edhe për gjendjen e tyre shpirtërore dhe për shoqërinë dhe këta individë munden me privua jetën e tyre dhe me ndëshkua në forma të ndryshme edhe shoqërinë që e kanë”, ka thënë Havolli.
Ai në një prononcim për Ekonomia Online tha se në periudhën e pandemisë është frika ajo që dominon tek shumë individ. Pastaj sipas Havollit, rastet që i kanë trajtuar kanë qenë si pasojë e akumulimit të ankthit e stresit, ku si rrjedhojë e kësaj kanë arritur deri te ideja e vetëvrasjes.
Tutje, ai tregoi se gjatë ofrimit të shërbimeve të tyre kanë arritur të parandalojnë shumë vetëvrasje.
Ndikimi i pandemisë tek psikologjia e njerëzve sipas Havollit ka ndikuar deri tek dhuna në familje.
“Ka ndikuar mund të themi lirisht në aspektin psikologjik në mënyrë negative për faktin se gjatë kësaj periudhe duke filluar që nga marsi i vitit 2020 dhe në vazhdimësi edhe gjatë kësaj periudhe është rritur nevoja dhe kërkesa e individëve për marrjen e shërbimeve psikologjike dhe ka ndikuar në aspektin negativ edhe në rritjen e situatave të ndryshme, sjellje agresive, dhunës në familje dhe mos të flasim, se është rritur kohëve të fundit edhe fenomeni i vetëvrasjeve, pra kjo po shihet që gjithkund e ka zanafillën dhe si pasojë e situatës të tej zgjatur tek individët ka ndikuar dhe është duke rënduar aspektin psikologjik të tyre”, u shpreh tutje Havolli./Insajderi.com