Varianti i ri i COVID-19 përhapet 70% më shpejtë, ShSKUK tregon për trajtimin e rasteve në Kosovë

Varianti i ri i COVID-19 përhapet 70% më shpejtë, ShSKUK tregon për trajtimin e rasteve në Kosovë

Varianti i ri britanik i Coronavirusit, që tashmë është shfaqur edhe në Kosovë, ka mundësi të përhapet deri në 70 përqind më lehtë dhe më shpejt sesa variantet tjera, duke shkaktuar rritjen e numrit të rasteve të reja.

Kështu thotë për Gazetën Online Insajderi, mikrobiologu kosovar, Lul Raka, i cili shton se sipas studimeve, antitrupat e gjeneruar përmes vaksinimit me vaksinat e autorizuara aktualisht i njohin këto variante.

Sipas tij, një ndër masat parandaluese dhe kontrolluse për përhapjen e variantit të ri është edhe vaksinimi, i cili nuk ka nisur ende në Kosovë. Qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të vaksinohen së paku vetëm në pjesën e dytë të muajit shkurt.

“Informatat e tanishme po përditësohen çdo ditë me detaje të reja shkencore. Mirëpo, kjo rritje mund të shtojë numrin e pranimeve në spital, që do të ngarkojë më shumë kapacitetet spitalore dhe mund të shkaktojë potencialisht më shumë vdekje”, ka thënë Raka.

Ndër masat tjera që duhet të mos anashkalohen në mënyrë që të mos përhapet më shumë ky variant i ri i virusit Corona, sipas Rakës janë: Ngritja e kapaciteteve të sekuencimit gjenetik në IKSHPK, respektimi rigoroz i masave parandaluese: maskë, distancë, higjienë e duarve, shmangie e qëndrimit në turma, si dhe personat që kanë çfarëdo lidhje epidemiologjike me rastet me variantin më të ri të virusit ose histori udhëtimesh në zonat e prekura duhet të identifikohen menjëherë për t’u testuar, izoluar dhe ndjekur kontaktet e tyre.

Ndryshe nga Raka, infektologu Valbon Krasniqi, njëherësh edhe ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, thotë se është ende herët për të parashikuar se a është më i rrezikshëm apo jo ky variant i virusit.

Krasniqi sqaron se sikurse simptomat që janë të njëjta, edhe masat mbrojtëse dhe trajtimi i të infektuarve me këtë virus në QKUK është i njëjtë.

“Simptomat duket se janë të njëjta, poashtu edhe masat mbrojtëse dhe trajtimi është i njëjtë. Tani për tani është herët për të parashikuar se a është më I rrezikshëm apo jo. Por, mjekimi është i njëjtë”, ka thënë Krasniqi për redaksinë.

Një ndër faktorët favorizues të përhapjes së këtij virusi në Kosovë, Raka e sheh fillimin e fushatës parazgjedhore gjatë janarit, ku asnjë parti nuk respektoi masat parandaluese.

Kjo mund të jetë “katalizator i fuqishëm i përhapjes më të shpejtë të rasteve të reja, të cilat gradualisht mund të mbizotërohen nga varianti i ri i virusit”.

Raka tutje thotë se liderët politikë duhet ta kenë të qartë se jeta e simpatizantëve të tyre është më e vlefshme sesa vota e tyre. Prandaj, ata duhet të prijnë në zbatimin e masave parandaluese.

“Intensifikimi i fushatës gjatë ditëve në vijim me grumbullimin e qindra, e në disa raste edhe mijëra simpatizantëve në objekte të mbyllura në kohë pandemie e rrit edhe më shumë këtë rrezik. Qasja e tillë është e papranueshme dhe kërcënon shëndetin publik e individual të qytetarëve të Kosovës”, thotë tutje Raka.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, të premten ka njoftuar se tri mostra kanë rezultuar pozitive në variantin britanik të Coronavirusit në Kosovë, nga gjithsej 30 mostra që janë dërguar për analizim në një laborator në Gjermani.

Aktualisht Kosova ka pezulluar të gjitha fluturimet drejt Mbretërisë së Bashkuar, prej raportimit të variantit të ri me Coronavirusit në këtë shtet vitin e kaluar.

Ky variant thuhet se ka një përparësi selektive – është më përhapës dhe më vdekjeprurës sesa versioni fillestar i virusit që shkakton sëmundjen COVID-19.

Në nivelin global, sot po qarkullojnë variante të ndryshme të Coronavirusit.

Varianti britanik, i quajtur B.1.1.7 u identifikua me shumë mutacione në vjeshtën e vitit 2020. Që atëherë është zbuluar në shumë vende të botës, përfshirë edhe tri raste në Kosovë. /Insajderi.com