Vasfije Krasniqi-Goodman: Do të luftoj për drejtësi dhe thyerjen e stigmës ndaj viktimave të dhunës seksuale

Vasfije Krasniqi-Goodman: Do të luftoj për drejtësi dhe thyerjen e stigmës ndaj viktimave të dhunës seksuale

Deputetja e zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, thotë se do të luftojë për drejtësi dhe thyerjen e stigmës ndaj viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, njofton Insajderi.

“Tash, pasi jam kyçur në politikë do të doja që të jetoja këtu me familjen, që të mos jem vetëm dhe për shkak se unë e urrej pak udhëtimin dhe më konvenon që ta kem familjen këtu, që të mos udhëtoj shpesh mes Kosovës dhe Amerikës. Thënë të vërtetën, unë nuk e kam pasur kurrë as idenë apo dëshirën të garoj në politikë, po kur më erdhi oferta e parë nga partitë politike në Kosovë, të parën e refuzova, kur me erdhi e dyta vendosa që të bashkohem me Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak që t’i shtyj kauzat e mija përpara, siç është puna e drejtësisë dhe si trajtohen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, tha ajo.

Krasniqi-Goodman, ka thënë se do të jetë zë i fuqishëm për të mbijetuarat dhunës.

“Jo, asnjëherë nuk kam menduar. Ky ka qenë një vendim i shpejt, nuk ka qenë diçka që kam menduar se do të jem deputete. Tash që jam, shpresoj që të jem zë i fuqishëm për të mbijetuarat dhe të shtyj kauzën time përpara, siç thash edhe më herët dhe si një deputete të shoh gjërat nga brenda, për të parë se si po trajtohen viktimat”, u shpreh Goodman.

“Vasfije Krasniqi-Goodman: Ju e dini, numër një për mua është drejtësia. Të ketë drejtësi për të gjitha viktimat e luftës së Kosovës, t’i shtyj përpara. Po ashtu edhe stigmën, për ta thyer stigmën sepse prapëseprapë në Kosovë viktimat janë shumë të stigmatizuara si nga familja, shoqëria e nga institucionet. E këto dyja janë qëllimet e mija pse unë dua të jem në parlament. Edhe për gjërat e tjera, për të gjitha viktimat e luftës sepse siç e dimë, nuk ka shumë serbë që janë dënuar për krimet që i kanë bërë në Kosovë, pa marr parasysh a janë për vrasjet, masakra, për dhunimet. Kështu që unë jam aty për të kërkuar drejtësi dhe për t’ia kujtuar edhe shtetit të Kosovës (që) të luftojë më shumë për drejtësi, por edhe Serbisë, t’ia rikujtoj për çdo ditë se çka ka ka bërë në Kosovë para 22 vjetësh… sepse i kemi harruar pak krimet e luftës”, theksoi tutje për REL.

Më tej ka deklaruar se viktimave të dhunës seksuale duhet të dëgjohet në procesin e dialogut me Serbinë.

“Duhet të dëgjohet zëri. Me sa e di unë, dhuna nuk është përmendur kurrë në asnjë (proces) dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Është një diçka që duhet të përmendet. E tash, se a do të jem unë pjesë apo ajo, varet krejt prej dikujt tjetër, jo nga unë. Por, unë konkretisht nëse do të jem pjesëmarrëse aty, do t’ia përmend Serbisë krimet që ka bërë sepse unë jam dëshmitare e gjallë për krimet e Serbisë dhe ata duhet të ballafaqohen me të kaluarën dhe jo të mohojnë krimet që kanë bërë”, tha Krasniqi-Goodman./Insajderi.com