Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, është shprehur thellësisht e zhgënjyer me drejtësinë ndërkombëtare e atë vendore, në trajtimin e rastit të saj dhe të viktimave tjera të dhunës seksuale në Kosovë.
Kanë kaluar tri vite që nga koha kur ajo mori guximin për ta rrëfyer publikisht përjetimin e saj, por ende askush nuk është dënuar.
Krasniqi-Goodman e cila tani është deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka treguar se sa e vështirë është të bëhet një rrëfim i atillë.
“Tash bëhen tri vite që kur kam folur publikisht dhe nuk ka shumë që flasin hapur sepse është vështirë për viktimat, është e vështirë për familjet, por unë jam falënderuese që e kam pasur përkrahjen e familjes dhe të shoqërisë dhe ma ka dhënë mundësinë të flas publikisht për atë që më ka ndodhur, siç dihet viktimat tjera nuk e kanë këtë mundësi, është për të ardhur keq se si trajtohen viktimat që nuk kanë mundësi të flasin”, ka thënë Krasniqi-Goodman në “Rubikon” të Klan Kosovës.
Ajo është shprehur se lënda e saj ishte humbur qëllimshëm.
“Besoj që ka qenë e qëllimshme, ka qenë politike, po nuk mund ta dimë politikë e kujt ishte, e Serbisë apo e shtetit të Kosovës, përse nuk i dënuan, përse vazhdoi ai ta mbajë postin e policit të Kosovës deri në vitin 2017 dhe kemi kërkuar nga Policia e Kosovës ta dimë përse është larguar ai në vitin 2017, por nuk kemi informata”.
“Kemi bërë përpjekje që ta kthejmë rastin në rigjykim por shteti i Kosovës nuk na e ka dhënë mundësinë, ka kaluar pesëvjetorin por ai pesëvjetor ka qenë për dhunuesit, nëse ata duan të bëjnë ndryshime në gjykime kurse viktimës nuk i është dhënë ajo mundësi, kur e kam marrë vendimin nga Gjykata Supreme më është shuar ëndrra për drejtësi, për shtetin e Kosovës nuk besoj se do të vijë drejtësia ndërkombëtare për Kosovë nuk ka gjasa”.
“Pasi kam folur unë, Drita Hajdari është zotuar ta rishikoj rastin por kjo nuk ka ndodhur, nuk e di përse këto raste edhe raste tjera që kanë kërkuar drejtësi pasi kam folur unë por drejtësia po u shkon rasteve shumë ngadalë”./Insajderi.com