Bota e xhudos po “sundohet” nga vashat dardane.
Pas përditësimit të Ranglistës Botërore – në këtë sport, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova janë në vendin e parë – në kategoritë përkatëse.
Këtë lajm e ka bërë të ditur “Kosovo Judo Federation” përmes një postimi në Facebook.
Distria është në vendin e parë në botë, në katëgorinë -48 kilogramë, me gjithsej 5920 pikë.
Kurse, Nora ka gjithsej 5880 pikë dhe është e para në kategorinë -57 kilogramë.
Ky është edhe një sukses i madh për kampionet olimpike.
Ditë më parë, Distria ishte zgjedhur xhudistja më e mirë në botë nga Komiteti Olimpik i Xhudos – pas votimit online.
Ndërsa, Driton Kuka u zgjedh trajneri më i mirë në glob.
Krasniqi ishte e jashtëzakonshme në Lojërat Olimpike – të mbajtura në Tokio.
25-vjeçarja është medalistja e dytë e artë olimpike e Kosovës, pas Majlinda Kelmendit, e cila ishte shpallur kampione në “Rio 2016″.
Distria kishte mposhtur në finale xhudisten japoneze, Funa Tonakin.
Kurse, Gjakova kishte mposhtur në gjysmëfinale japonezen, Tskukasa Yoshida që ishte dhe pretendentja kryesore në peshën deri në 57 kg.
Ndërsa, në finale e kishte “gjunjëzuar” xhudisten franceze, Sarah Leonie Cysique, me ippon. /Insajderi.com