Vazhdimi i mandatit të EULEX-it shuan shpresat e kriminelëve për të dalë nga burgu

Azem Syla kot i ka premtuar Shaban Sylës së do të dalë nga burgu sapo të shkojë EULEX-i. Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë po i vazhdohet mandati edhe dy vjet të tjera. Ndërkohë, që ky mision e ka arrestuar edhe vetë Azem Sylën. Ai ndodhet në paraburgim si i dyshuar për krim të organizuar. Syla dyshohet se ka drejtuar një grup të madh kriminal, brenda të cilit ka anëtarë të dënuar për vrasje.

Vazhdimi i mandatit të EULEX-it shuan shpresat e kriminelëve për të dalë nga burgu

Azem Syla, ishte munduar ta qetësonte Shaban Sylën që të rrinte i qetë në burg. I premtonte se do të dilte që aty posa të largohej EULEX-i.

Por, Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) nuk po largohet. Po i vazhdohet mandati edhe për dy vjet tjera.

Kësisoj, premtimi i Azem Sylës del se ka qenë i pabazuar. Pos që kushëriri i tij, i dënuar me burgim nuk do të lirohet, edhe ai është arrestuar nga misioni i EULEX-it, si i dyshuar se ka drejtuar një grup kriminal prej 51 personash, pjesë e të cilit është edhe Shaban Syla.

Kosova i kërkoi të premten zyrtarisht Brukselit që t’ia zgjatë mandatin edhe për dy vjet misionit të EULEX-it.

Ftesën zyrtare për vazhdim të mandatit të këtij misioni e ka bërë presidenti Hashim Thaçi. Ai i ka shkruar një letër përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe politika të sigurisë, Federica Mogherini, me anë të së cilës kërkon vazhdimin e mandatit.

Letrës pritet t’i përgjigjet me vazhdim mandati për EULEX-in, deri më 18 qershor 2018, Frederica Mogheri.

Kjo letër e Thaçit zyrtarizon vazhdimin e misionit që tashmë e ka futur në burg Azem Sylën. Syla dyshohet për krim të organizuar, shpërlarje parash e vepra tjera që lidhen me shpronësimin e paligjshëm të 32 hektarëve tokë të shtetit në dalje të Prishtinës. Mbi 30 milion euro vlerësohet se është përfitimi i grupit.

Gjatë hetimeve të Prokurorisë, Azem Syla është përgjuar duke folur dhe duke dhënë urdhra anëtarëve të grupit të tij, ndonëse ka qenë i kujdesshëm duke përdorur shumë shkurt një telefon dhe një sim kartelë. Këtë e ka bërë si masë sigurie për të mos rënë në përgjim.

Hetimet konfirmojnë se njeriu që merrte vendimet përfundimtare të grupit është Azem Syla. Ai është përgjuar duke folur me anëtarët e grupit në dhjetëra raste. Ka folur edhe me anëtarët e grupit që ndodheshin në burg.

Bisedën e fundit me Shaban Sylën e ka pasur me 1 mars të këtij viti.

Prokurori përmend 10 biseda telefonike që nuk janë relevante për rastin, por që tregojnë se si të gjithë të tjerët ishin të varur nga Azem Syla dhe se si ai vlerësonte vartësit e tij.

Azem Syla ka biseduar me Shaban Sylën edhe gjatë kohës sa ishte në paraburgim. Syla është munduar ta qetësojë atë në burg.

Në një bisedë të përgjuar në mes të Leotrim Sylës dhe babait të tij Shaban Syla, telefoni i jepet për të folur Azem Sylës. Azem Syla i thotë Shabanit që të jetë i durueshëm sepse disa zhvillime pritet të ndodhin së shpejti.

Prokurori thotë se këto zhvillime kanë nënkuptuar largimin e misionit nga Kosova.

Një bisedë tjetër të zhvilluar më 1 mars 2016, paraqitet vetë Azem Syla duke u munduar ta qetësojë Shaban Sylën në mënyrë të ngjashme.

EULEX-i ndërkohë është në një proces hetimor për shkak të dyshimeve për korrupsion. Hetimet janë duke vazhduar për shkak të dyshimeve se zyrtarë të misionit kanë marrë ryshfet.

Subjekt i këtyre hetimeve janë zyrtarë të EULEX-it në krye me ish-kryetarin e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesco Florit, si dhe ndërmjetës vendës e avokatë. Task Forca për hetime penale është themeluar para një viti e gjysmë pas raportimeve të “Kohës Ditore” për dyshime se zyrtarë të EULEX-it janë përfshirë në korrupsion.

Qeveria e Kosovës i ka dhënë mbështetje vazhdimit të mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX-it, edhe për dy vite tjera.

EULEX-i është misioni me i madh i Bashkimit Evropian. Përveç kompetencave të caktuara ekzekutive në fushën e drejtësisë, EULEX-i merret me këshillimin, monitorimin dhe mentorimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Misioni i EULEX-it është vendosur në Kosovë në qershor të vitit 2008. Me mandatin e ri, EULEX-i rrumbullakon 10 vjet në Kosovë. /Insajderi.com