Vazhdojnë akuzat mes Ramës e Bashës për raportin e Dick Martyt

Vazhdojnë akuzat mes Ramës e Bashës për raportin e Dick Martyt

Debati i ashpër midis kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, po vazhdon nëpërmjet postimeve në Twitter, lidhur me miratimin e raportit të Dick Martyt, njofton Insajderi.

Së fundmi Basha tha se Rama bën zëdhënësin e Beogradit.

“Në vend që të bëjë detyrën, Edi Rama bën zëdhënësin e Beogradit. Ai është përgjegjës për jetët e humbura dhe shëndetin e shqiptarëve. Të sëmurët dergjen nëpër ambulanca sepse spitalet janë mbushur plot. Pasi shkatërroi ekonominë ai ka humbur kontrollin mbi pandeminë”, ka shkruar ai.

Kurse, Rama ka pyetur Bashën nëse është e vërtet se ka përdorur maskë qysh atëherë, kur merrte në pyetje shqiptarët për llogari të Martyt.

“Pse Beogradi nuk e donte raportin e Dick Marty prandaj e miratuat ju Lulëzim! Dhe meqë ra fjala a është e vërtetë që ke përdorur maskë qysh atëherë, kur merrje në pyetje shqiptarët për llogari të zotit Dick apo edhe kjo është sajesë e Beogradit? Fol Lulëzim, thuaje të vërtetën!”- kështu shkroi pak minuta më parë në Tëitter kryeministri Edi Rama, si një kundërpërgjigje ndaj Bashës.

Ky debat virual nisi me shkrimin e Ramës mbi raportin e Dick Martyt për UÇK-në, për çka akuzoi Bashën. Metën e Berishën se e kanë miratuar atë.

“Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”

Menjëherë erdhi një reagim nga vetë Basha:

“Edi Rama lëri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta? Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin”. /Insajderi.com