Vazhdojnë edhe sot gërmimet në Kizhevak të Serbisë

Vazhdojnë edhe sot gërmimet në Kizhevak të Serbisë

Gërmimet në Kizhevak të Serbisë edhe sot do të vazhdojnë për gjetjen e mbetjeve mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, njofton Insajderi.

Kështu ka bërë të ditur udhëheqësi i Zyrës në Komisionin qeveritar për të pagjeturit, Kushtrim Gara.

Ai ka thënë se në këtë lokacion ka qenë të fokusuar për të gjetur varreza masive nga viti 2015, ku më pas edhe janë gjetur mbetjet e para mortore.

“Gërmimet do të vazhdojnë edhe nesër, dhe në javën e ardhshme pra nga e hëna. Fillimisht ka qenë saktësimi i saktë i varrezës masive në këtë lokacion, pastaj vazhdohet me punën e nevojshme, në kuptimin e gërmimeve, zhvarrosjes së mbetjeve mortore që do të gjenden dhe janë procedurat tjera mjeko-ligjore në kuptimin e ekzaminimeve të mëtutjeshme dhe dërgimin e mostrave për analize të ADN-së në Komisionin ndërkombëtar për persona të zhdukur. Më 16 nëntor të këtij viti është hasur në mbetjet e para mortore dhe pas përgatitjeve logjistike, nga data 30 nëntor kanë vazhduar gërmimet vlerësuese dhe sigurisht që ato do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, dhe është pak herët të flitet për numrin e viktimave që mund të jenë në këtë lokacion. Për hir të procesit, për shkak të ndjeshmërisë që ka procesi dhe për hir të familjarëve do të jemi të kujdesshëm në interpretimin e termave statistikor derisa nuk përfundojnë të gjitha procedurat e nevojshme mjekoligjore”, ka thënë Gara.

Në Kizhevak është varreza e pestë masive në territorin e Serbisë, por ka edhe disa lokacione të tjera të cilat janë proceduar me kërkesë zyrtare për delegacionin e Serbisë dhe ndërkombëtarët që janë pjesë e këtij procesi, për të parë se si mund të vazhdohet për gërmimet në këto lokacione.

Ai ka thënë se për shkak të kushteve atmosferike, nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe ndonjë ndërprerje eventuale të gërmimeve, por ato do të vazhdojnë deri në momentin kur të arrihet të trajtohet tërë hapësira e varrezës masive dhe të zhvarrosën të gjitha pjesët mortore. /Insajderi.com