Vazhdojnë gërmimet te varreza masive në Kizhevak të Serbisë

Vazhdojnë gërmimet te varreza masive në Kizhevak të Serbisë

Përfaqësuesit e Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, kanë vizituar lokacionin e varrezës masive në Kizhevak të Raxhkës në Serbi, me rastin e rifillimit të gërmimeve, njofton Insajderi.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit të Kosovës, të cilët me anë të një komunikate për medie, thonë se gërmimet do të bëhen edhe gjatë ditëve në vijim.

Pas gjetjeve kockore disa ditë më parë janë ndërprerë punime teksa tani do të fillojnë punimet.

“Gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosjet e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë, gjegjësisht punimet në këtë lokacion, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim” thuhet në komunikatë.

Ekspertët mjekoligjor të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës, do të vazhdojnë të jenë të pranishëm deri në përfundim të procesit, në përputhje me praktikat mes dy delegacioneve. /Insajderi.com