fbpx

Vazhdojnë përçarjet e PDK-së në Podujevë

Vazhdojnë përçarjet e PDK-së në Podujevë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, vazhdon të ketë përçarje në degën e partisë së tij në Podujevë.

Kjo pasi që, sipas burimeve të Llapi.info, strukturat e reja të partisë po vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje me ato të larta (vjetra).

Gjithnjë sipas të njëjtave burime dje ishte paraparë të mbahej mbledhja për të formuar Këshillin Drejtues të partisë në Podujevë.

Mirëpo kjo ka dështuar, pasi që siç mëson Llapi.info, nuk ka pasur kuorum, pasi në mbledhje s’kanë marrë pjesë këshilltarët komunalë të partisë dhe një pjesë e madhe e kësaj dege. Gjë kjo që ka bërë të shtyhet mbledhja edhe një javë.

Ndryshe, që nga zgjedhjet e brendshme të PDK-së në Llap, në këtë degë ka pasur përçarje, pasi në krye të kësaj partie me mbështetje të strukturave të vjetra erdhi Naim Fetahu, ndërsa edhe pse pati besimin dhe mbështetjen e rinisë demokratike, Fahri Osmani nuk arriti të zgjidhet kryetar i PDK-së.

Fetahu kishte fituar me vetëm dy vota diferencë, derisa në krah e kishte njërin ndër figurat më të rëndësishme të PDK-së në Llap, komandant Remin.

Por, kjo nuk ishte e tëra. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli mori vendim që t’i largojë nga detyra të gjithë të emëruarit politikë nga kjo parti, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion ose nepotizëm. Në mesin e tyre ishte edhe Besim Beqaj, ky i fundit (-ish ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë) u shkarkua.

Po ashtu, Llapi.info mësoi zyrtarisht se Fahri Osmani nga PDK-ja e Podujevës ishte përfolur se do ta zë vendin Ministrisë së Inovacionit, por një gjë e tillë s’ka ndodhur pasi që siç mëson Llapi.info, pikërisht këtë nuk e kanë lejuar strukturat e larta të PDK-së në Llap. E ky rast i fundit veçse i ka “hedhur benzinë” më shumë kësaj partie në Podujevë, duke dështuar formimi i Këshillit Drejtues.