Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të premten do të vazhdojë gjykimi kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili po akuzohet për krime lufte.
Kjo është dita e pestë e gjykimit ndaj tij.
Të enjten ka përfunduar intervistimi i dëshmitarit të parë kundër çështjes së tij, ndërsa ka filluar intervistimi i dëshmitarit të dytë.
Dëshmitari i parë para ZPS-së ka deklaruar se në fshatin Zllash gjatë kohës së luftës është rrahur dhe maltretuar për orë të tëra siç pretendon ai nga Mustafa, të cilit ka refuzuar të ia përmend emrin dhe i është referuar si “i akuzuari”.
Ndërsa, dëshmitari i dytë në këtë çështje, ka deklaruar se “në Zllash ishte Njësia BIA, komandant i të cilës ishte Salih Mustafa me nofkën komandant ‘Cali’”.
Salih Mustafa, i njohur në luftë si “komandant Cali” është i arrestuari i parë nga Specialja dhe ky është gjykimi i parë në Dhomat e Specializuara. Aktakuza ndaj tij është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar./Insajderi.com