
Dy ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa, do të dalin të enjten para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Duke filluar nga ora 09:00 do të mbahet konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes në rastin ku ish-komandanti i UÇK-së, Pjetër Shala, akuzohet për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ndërkohë nga ora 11:30, do të vazhdojë gjykimi ndaj Mustafës.
Të mërkurën, para trupit gjykues ka dhënë dëshminë e tij dëshmitari i parë i cili pretendon se është keqtrajtuar në fshatin Zllashë gjatë luftës së fundit nga Mustafa.
Gjykimi i tij do të vazhdojë të enjten. Kjo është dita e katërt e gjykimit, ku nga e hëna është duke u intervistuar dëshmitari i parë.
Aktakuza ndaj tij është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar.
Ndërkohë, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte./Insajderi.com