Vazhdon greva e Shoqatës së transportuesve, Kurtishaj: Të hënën vendosemi para qeverisë

Vazhdon greva e Shoqatës së transportuesve, Kurtishaj: Të hënën vendosemi para qeverisë

Numër i madh i autobusëve të transportit ndër-urban të udhëtarëve do të vendosen para Qeverisë së Kosovës të hënën, përcjell Insajderi.

Ky veprim i Shoqatës së transportit rrugor të udhëtarëve vije pasi mëngjesin e së premtes parakaluan mbi 200 autobusë nëpër rrugët e kryeqytetit si shenjë proteste për mossubvencionim nga Qeveria.

Kryetar i Shoqatës së transportit rrugor të udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë se të hënën do të organizojnë marsh që nuk do të jetë në lëvizje si sot dhe se do të ketë më pak autobusë.

“Të hënën në ora 10:00 do ta kemi një marsh por jo në lëvizje. Do te jetë përballë qeverisë, do të jetë një numër i caktuar i autobusëve, kërkesa është që të vijnë 1 mijë autobusë, por do të vijnë vetëm një numër i caktuar. Protesta do të vazhdojë deri në realizimin marrëveshjes së nënshkruar me ministrinë e Infrastrukturës”, ka thënë ai.

Kurtishaj ka pohuar se deri në plotësimin e kërkesave, greva do të vazhdojë.

Ai ka shtuar se vendosja e autobusëve ditën e hënë para Qeverisë është alarmi i fundit për institucionet.

“… ky duhet të jetë alarmi i fundit për Qeverinë që të mblidhet për realizimin e kërkesës, për t’i dalë në ndihmë operatorët të këtij sektori që padrejtësisht krijuan humbje të mëdha për shkak qeverisë dhe me vendimin e dytë që ju ndalojë shfrytëzimin e kapaciteti mbi 50% dhe masat e tjera kufizuese dhe të gjitha këto vendime kanë qenë pengesë për ne, por ne i kemi dhënë hapësirë gjithmonë dialogut, por si duket Qeveria e ka pasur vetëm një lloj premtimi të rrejshëm dhe unë bëjë thirrje kryeministrit mos t’i ndryshojë”, ka deklaruar Kurtishaj.

Ai tutje ka sqaruar se ata po kërkojnë që të kompensohen me rreth 6.5 milionë euro, ku do të përfshihen 450 biznese./Insajderi.com