Rubrika e dhunës në familje në raportin njëzetekatërorësh të Policisë së Kosovës vazhdon të dominohet nga dhuna e burrave ushtruar nga grave.
Numri i rasteve të tilla nuk është uluar as pas fushatave senzibilizuese kohëve të fundit e raportimeve për këto raste.
Edhe ditën e djeshme në Prishtinë, 10 qershor, e premte, një grua ka raportuar se rreth orës 20:40 është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti.
Por, siç njofton raporti, “viktima nuk ka dashur që të ketë trajtim mjekësor”.
Në lidhje me këtë rast “është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet”.
Njëjtë ka ndodhur edhe në Podujevë, por këtu bashkëshorti ka kërcënuar bashkëshorten dhe vëllanë e saj përmes telefonit.
Rasti në polici është lajmëruar rreth orës 13:30 minuta.
Ndryshe nga rasti i parë, për këtë kanosje, “me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.
Kurse në Lipjan, po të premten, rreth orës 23:00, “viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është keqtrajtuar fizikisht nga bashkëshorti i saj”, thuhet në raportin e policisë.
“Viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor”.
Ndërsa në Prizren, burri ka sulmuar bashkëshorten e tij pasi ishte alkoolizuar fillimisht.
Ngjarja, siç e thotë raporti i policisë, ka ndodhur “pas një mosmarrëveshje”.
“I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.