Vazhdon vaksinimi kundër COVID-19 i pacientëve të hemodializës

Vazhdon vaksinimi kundër COVID-19 i pacientëve të hemodializës

Komiteti për vaksinim kundër COVID-19 ka njoftuar se gjatë së enjtes procesi i vaksinimit do të vazhdojë me pacientët e hemodializës, përcjell Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftim, pacientët e Komunës së Prishtinës do të vaksinohen në qendrën “1 Tetori”, kurse të tjerët, në njësitë e vaksinimit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse ku banojnë.

“Gjithashtu, krahas vaksinimit të pacientëve të hemodializës, gjatë kësaj kohe procesi i vaksinimit është i hapur edhe më tej për profesionistët shëndetësor si dhe për personat mbi moshën 80 vjeçare”, thuhet në njoftimin për medie.

Kurse, duke filluar nga data 16 prill 2021 (e premte) për disa ditë me radhë, në Prishtinë dhe në të gjitha komunat, do të fillojë vaksinimi i personave të moshës 75-79 vjeç me sëmundje kronike, sipas listës së diagnozave të pacientëve me sëmundje kronike, të dëshmuar me raport mjekësor me rastin e paraqitjes për vaksinim.

“Vërejtje: Numri i personave që do të vaksinohen nga kategoria e të prekurve nga sëmundjet kronike brenda grup-moshës 75-79, varet nga numri i dozave të vaksinës kundër Covid-19 në dispozicion”, thuhet tutje në njoftim./Insajderi.com

May be an image of text