Vdekja e dy personave me koronavirus – Vitia apel qytetarëve: S’duhet të hyjmë në lojën e fatit mes shërimit dhe vdekjes

Vdekja e dy personave me koronavirus – Vitia apel qytetarëve: S’duhet të hyjmë në lojën e fatit mes shërimit dhe vdekjes

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat e vendosura, ani se mund të duken strikte.

Duke parë vdekjet e shumta në botë dhe dy persona që ndërruan jetë sot në Kosovë nga koronavirusi, Vitia ka thënë se këto masa janë për ta parandaluar shndërrimin e njeriut në shifër, shkruan Insajderi.

Madje, ministri Vitia ka theksuar se ky virus e ka bërë një gjë të qartë, nuk duhet të hyjnë në ciklin e sëmundjes dhe nuk duhet të hyjnë në lojën e fatit mes shërimit dhe fatalitetit.

Shkrimi i plotë i ministrit Arben Vitia në Facebook:

Po e përcjellim me dhimbje të madhe, me ndjenjë të përgjegjësisë çdo shuarje jete në këtë kohë pandemie. Sot u larguan prej nesh edhe dy bashkëqytetarë në betejën kundër COVID-19.

Në botë, për shkak të pandemisë po flitet për të prekurit dhe rastet e fatalitetit vetëm me shifra. Por njerëzit janë njerëz e jo shifra. Përndryshe asgjë nuk ka rëndësi nga kultura dhe shtetndërtimi afatgjatë. Ndaj dhe merren masa institucionale. Masat, edhe pse duken se janë strikte ato kanë vetëm një qëllim: mos ta lejojmë shndërrimin e njeriut në shifër. Ne jemi një vend e një Republikë. Këtu njerëzit janë të gjithë tanët.

Ju lutem dhe një herë, duhet ta parandalojmë virusin. Çdo disiplinim i veprimtarive ekonomike dhe shoqërore duhet ta marrë një vlerë, shpëtimin e jetës. Ky virus na i ka bërë një gjë të qartë: nuk duhet të hyjmë në ciklin e sëmundjes, nuk duhet të hyjmë në lojën e fatit mes shërimit dhe fatalitetit.

Vëmendje: Rastet që po vijnë në spital janë gjithnjë e më të rënda. Ndaj duhet të mendojmë parandalimin me çdo kusht. ME ÇDO KUSHT.

Mes të qenit i shëndetshëm dhe të qenit i prekur ndarja është absolute. Afatgjatësia e masave tona është krejt relative. Jeta është absolute. Për jetën e secilit të punojmë të gjithë.

Si Ministri e Shëndetësisë, si Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, dhe si personel shëndetësor, po përpiqemi me çka mundemi.

Iu adresoj familjeve të gjithë ngushëllimet tona për humbjen e të dashurve.  ​/Insajderi.com