Vdekja e punëtorit në fabrikën e Ferroniklit – Prokuroria tërhiqet nga ndjekja e njërit prej të akuzuarve

Vdekja e punëtorit në fabrikën e Ferroniklit – Prokuroria tërhiqet nga ndjekja e njërit prej të akuzuarve

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hequr dorë nga aktakuza ndaj Shefik Imerit, i cili akuzohet për rrezikim të sigurisë në punë.

Një gjë të tillë, e ka bërë prokurori i rastit, Hivzi Bajraktari në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast.

Bashkë me Imerin, për rrezikim të sigurisë në punë akuzohet edhe Ahmet Cakaj, për të cilin prokurori Bajraktari ka kërkuar dënimin e tij.

Arsye pse ka hequr dorë nga ndjenja penale ndaj të akuzuarit Imeri, prokurori Bajraktari ka thënë se nuk është vërtetuar se ai ka kryer një vepër të tillë penale.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori ka thënë se gjatë seancave gjyqësore janë dëgjuar dëshmitarë dhe është caktuar ekspertizë për mbrojtje e siguri në punë, të ekspertit Azem Kyqyku, i cili është dëgjuar në seancën e kaluar.

Prokurori ka përmendur disa nga konstatimet e ekspertit, ku kishte thënë se nga kompania “NeëCo Ferronikeli Complex L.L.C”, nuk janë siguruar të gjitha masat e nevojshme të sigurisë dhe mbrojtjes në punë.

“Sipas Ligjit për Siguri në Punë, mbrojtjes të shëndetit të punësuarve dhe ambientit të punës, kushtet për punë të sigurt në vendin e punës i krijon punëdhënësi, respektivisht në këtë rast kjo kompani, sepse veprimet punuese janë kryer në ambientin punues të saj”, ka thënë prokurori.

Sipas prokurorit, në ekspertizë thuhet se një pjesë e kanalit ka qenë pa mbulesë e që ka paraqitur rrezik për punëtorët.

“Ka bërë zëvendësimin e betonit me atë metalik që ka mundur të krijoj rrezik për punëtorët e personat e tjerë që kalojnë në atë ambient. Nuk kanë ndërmarr masa preventive për parandalimin e rrezikut, nuk ka njoftuar me shkresë punëtorin për rrezikun”, ka thënë prokurori.

Sipas tij,  në ekspertizë thuhet se edhe nga kompania NTSH “Endriti-Kom”, nuk janë siguruar të gjitha masat e nevojshme të sigurisë dhe mbrojtjes në punë, pasi siç ka thënë ai, sipas ligjit, kushtet për punë të sigurt i krijon punëdhënësi, duke përfshirë edhe marrjen e të gjitha masave preventive me qëllim të parandalimit të rreziqeve.

Ai ka thënë se ky punëdhënës, nuk ka bërë trajnimin e punëtorit A. F nga lëmia e sigurisë dhe mbrojtjes në punë, si dhe ka angazhuar punë në një ambient me rrezikshmëri, i cili nuk ka pasur përvojë në punë të tilla.

Prokurori Bajraktari, ka thënë se sipas ekspertizës, punëdhënësi nuk ka bërë kontrollimin sistematik mjekësor të punëtorit.

Andaj, ai ka thënë se në kuadër të mendimit të ekspertit, shihet se shkaktar në krijimin e kushteve për lëndimin dhe pastaj vdekjen e punëtorit A. F janë lëshimet nga punëdhënësi kryesor “NeëCo Ferronikeli Complex L.L.C”, punëdhënës i punëtorit NTSH “Endriti Kom”.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Ahmet Cakaj, avokati Arif Hasi, ka thënë se ka pritur që prokurori do të tërhiqet nga aktakuza ndaj të mbrojturit të tij.

“Ngase me të gjitha provat e administruara gjatë këtij shqyrtimi maratonik në asnjë provë nuk është vërtetuar se lëshimet e të mbrojturit tim si koncept janë kundërvajtje, marrja e punëtorit pa përvojë dhe angazhimi. Por, kemi proces që shkaktohet pasojat kemi të bëjmë me vepër penale”, ka thënë ai.

Sipas tij, në rastin konkret, as nga dëshmitë e as nga raportet e të dëmtuarës, eksperti nuk ka mundur të bëj lidhjen kauzale mes pasojës dhe shkakut.

“Shkaku kryesor ka qenë kanali i hapur, përgjegjësinë primare e ka punëdhënësi Ferronikeli. Aty mjegull, s’ke mujt me pa dy metra. Megjithatë, besoj se trupi gjykues do të merr aktgjykim lirues”, ka thënë avokati.

Ai ka thënë se i mbrojturi i tij, nuk e kishte pasur tani të ndjerin vetëm punëtor, por edhe si anëtar të familjes.

“Ka qenë lulja e rinisë. I mbrojturi im do të ketë pasoja gjatë gjithë jetës, e keni vërejtur edhe në seancë babai i tij nuk i bashkëngjitet ndjekjes, e nuk kërkon kompensimin e dëmit, e din se e ka marr me mirësi me i ndihmu”, ka deklaruar ai në fund.

Ndërkaq, i akuzuari Ahmet Cakaj, e ka mbështetur fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, duke thënë se nuk dëshiron të shtojë më shumë.

Shpallja e aktgjykimit pritet të mbahet më 14 maj, në orën 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 korrik 2012, Ahmet Cakaj dhe Shefik Imeri, akuzohen se si persona përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin gjatë punës nuk kishin vepruar sipas rregullave teknike mbi masat e sigurisë dhe nga pakujdesia kishin shkaktuar vdekjen e një personi.

Në aktakuzë thuhet se me 12 nëntor 2011, Cakaj si pronar i kompanisë kontraktuese NTSH “Endriti-Kom”, me seli në Trestenik të Drenasit dhe punëdhënës i tani të ndjerit A.F, kishte lejuar që ky i fundit të punësohet pa përvojë të mjaftueshme dhe pa i tërhequr vërejtjen për rrezikun që i kanoset në punë, që të manipulojë me makineri të rëndë.

Ndërsa, Imeri akuzohet se në cilësinë e menaxherit të prodhimit në “Neë Co Ferronikeli Complex LL.C”, në Drenas, nuk ishte përkujdesur për sigurimin e kushteve të punës, sipas rregullores.

Sipas aktakuzës, tani ndjeri pasi kishte zbritur nga skipi, më të cilin kishte tentuar të debllokojë bunkerin e skories së elevatorit të sistemit V, duke ecur mbi plato betoni, në një moment kishte shkelur mbi ujin me avull dhe ishte zhytur në ujin me temperaturë prej +67 gradë celsius.

Si pasojë e kësaj, atij 70-79% e trupit i ishte kapluar nga djegia, nga të cilat më pas kishte ndërruar jetë më 29 nëntor 2011, në Qendrën Klinike Universitare në Turqi. /BetimipërDrejtësi