Gazetari Kajtaz Gecaj ka vdekur në orët e hershmë të së enjtes. Ai ishte i infektuar me Coronavirus.
Lajmin për vdekjen e tij e ka kumtuar Kujtim Gecaj, djali i të ndjerit.
“Familjar, miq e shokë, ju njoftojmë se baba jonë Kajtaz (Islam) Gecaj, ka ndërruar jetë sot në ora 00:00. Pasi që ka qenë me COVID-19, varrimi do të bëhet nga Instituti Kombëtar në praninë e familjes së ngushtë. Të pame nuk do të ketë për shkak të gjendjes aktuale me pandemi”, ka shkruar Kujtim Gecaj në profilin e tij në Facebook.
Ndërsa, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Gecaj.
“Kajtazi njihet si gazetar i cili ka realizuar raporte, kronika e intervista të shumta dhe si gazetar i dalluar për korrektësi, vullnet dhe përkushtim në punë”, thuhet në telegramin e AGK-së.
“Duke vlerësuar lart kontributin që i ndjeri ka dhënë për profesionin e gazetarisë, iu shprehim ngushëllime familjarëve, miqëve dhe kolegëve të gazetarit, Kajtaz Gecaj”.
Kajtaz Gecaj gjatë viteve 70-ta ishte mësues në fshatin Qirez të Skenderajt. Ai ka punuar në gazetën “Dita”, Bota Sot” dhe për disa vite rresht ka qenë gazetar në të përditshmen “Zëri”./Insajderi.com