Ka ndërruar jetë gazetari Musli Berisha, i cili përgjatë punës së tij ka ushtruar detyrën e kryeredaktorit, ndërkaq bëhet e ditur se i ndjeri ishte i infektuar me Covid-19, njofton Insajderi.
Lajmin për diagnozstikimin me Coronavirus dhe vdekjen e tij e bëri të ditur Televizioni Tema nga Ferizaj, medium në të cilin vepronte gazetari Berisha.
Në njoftim, nga Televizioni Tema kanë shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit, derisa thonë se Kosova ka humbur një emër të madh të gazetarisë televizive.
Njoftimi i plotë:
Pas një beteje dyjavore me COVID-19, sot në Qendrën Klinike dhe Universitare të Prishtinës vdiq gazetari dhe shkrimtari ferizajas Musli Berisha (60).
Musli Berisha e nisi karrierën e tij të gazetarisë në vitin 1984 -1987 në Radio Ferizaj, për ta vazhduar atë menjëherë pas çlirimit të Kosovës sërish në Radio Ferizaj 1999-2001, si dhe duke raportuar për agjencinë e lajmeve Kosovalive.
Në vitin 2001 Musli Berisha iu bashkua stafit të Radio Tema në cilësinë e kryeredaktorit të programit informativ të radios, e pastaj edhe të TV TEMA, ku dha kontribut të çmueshëm për ndërtimin e programit informativ të këtij mediumi deri në vitin 2014.
Atë vit Musli Berisha punësohet në Komunën e Ferizajt, ndërsa veprimtarinë profesionale e vazhdon me botimin e disa veprave letrare nën pseudonimin artistik Mumir Ferko.
Familjes së të ndjerit i kanë dërguar telegrame ngushëllimi kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, menaxhmenti i RTV Tema dhe klubi i gazetarëve të Ferizajt “Haki Braha”. /Insajderi.com/