Vdes koordinatori i Kuvendit të Kosovës, Byrhan Buçinca

Vdes koordinatori i Kuvendit të Kosovës, Byrhan Buçinca

Ka vdekur koordinatori për Çështje Elektromekanike në Kuvendin e Kosovës, Byrhan Buçinca, njofton Insajderi.

Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila ngushlloi familjen Buçinca në emër të partisë.

Kusari-Lila tha se e vlerëson profesionalizimin e Buçincës në administratën e Kuvendit.

“Byrhani si punëtor i zellshëm dhe në krye të detyrave që i janë parashtruar do t’i mungojë Kuvendit të Kosovës, administratës, dhe deputetëve të zgjedhur të popullit, të cilët në qendër të punës së tyre e kishin profesionalizmin e tij”, shkroi Kusari-Lila në Facebook.

E para e deputetëve të LVV-së u shpreh se Buçincën do ta kujtojnë si njeri të urtë, e dashamirës, “edhe si njeri që ka dhënë shembullin se si duhet t’i shërbehet vendit dhe institucioneve të tij”.

“U prehtë në paqe Byrhan Buçinca, e u kujtoftë përherë njerëzia dhe e puna e tij”, shkroi tutje ajo. /Insajderi.com