Vdes nga Covid-19 mjeku Hysni Shkjaut

Vdes nga Covid-19 mjeku Hysni Shkjaut

Ministria e Shëndetësisë në Qeverinë e Shqipërisë, ka njoftuar se sot në mëngjes është ndarë nga jeta dr. Hysni Shkjaut, i cili nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit të infektivit për kolegun e tyre, shkruajnë mediat shqiptare, njofton Insajderi.

MSH nëpërmjet një njoftimi thotë se Dr. Hysni Shkjau, 69-vjeçar, me 40 vjet eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.

“Luftonte prej disa ditësh me COVID-19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve. Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për 40 vjet komunitetit të tij. Ministria e Shëndetësisë i rikujton qytetarëve të mos e ulin vëmendjen për zbatimin e rregullave, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm që prek këdo, pa dallim”, thuhet në njoftim./Insajderi.com