Profesori universitar, Arben Dermaku, ka ndërruar jetë në moshën 44-vjeçare, njofton Insajderi.
Dermaku ishte i prekur me COVID-19, ndërsa lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur me anë të një njoftimi, dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Gjilanit, Xhevat Sopi.
Për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili me anë të një postimi në Facebook, shprehi ngushëllime për familjen e të ndjerit.
“Prehu në paqe miku im i shtrenjtë, Prof.Arben. Do të kujtojmë dhe do të lutemi për ty gjithmonë e gjithë familja ime dhe unë në veçanti”, ka shkruar Hoti.
Dermaku ishte edhe Rektori themelues i Universitetit “Kadri Zeka”, në Gjilan, të cilin e drejtoi për dy vjet.
“Ai krijoi bagazh të gjerë të punës kërkimore shkencore me një numër të konsiderueshëm të artikujve shkencor të botuar në revista ndërkombëtare si dhe disa libra universitare. Prof.Asoc.Dr. Arben Dërmaku, la pas vetes gruan dhe djalin. Prehu në paqe shoku im i shtrenjtë!”, thuhet në njoftimin ku u bë e ditur vdekja e tij. /Insajderi.com