Një 15-vjeçar nga Prizreni ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga goditja me thikë pas një përleshjeje mes pesë të miturve në këtë komunë, njofton Insajderi.
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe Drejtoria Rajonale e Prizrenit e cila tha se ngjarja e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 10:00.
“Sot rreth orës 10:00 në rrugën ‘Ylber Fanaj’ në Prizren, pas një përleshje ndërmjet pesë personave të mitur, njëri nga të miturit i dyshimtë e ka goditur viktimën L.B me mjet të prehtë përkatësisht thikë duke i shkaktuar lëndime serioze që për pasojë viktima ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vendin e ngjarjes ka dalë mjeku kujdestar i emergjencës i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Policia dhe prokurori i shtetit së bashku me forenzikën kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë kryer edhe ekzaminimin e vendit të krimit.
Viktima me urdhër të prokurorit dërgohet për obduksion në IML Prishtinë. Ndërsa, rasti është duke u hetuar nga njësia hetimeve rajonale në Prizren. /Insajderi.com