
Një minator në minierën “Cërnac” në Leposaviq, ka vdekur mbrëmjen e së martës si pasojë e lëndimeve të marra gjatë punës në horizontin e tetë.
Lajmin për Insajderi-n e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për veri, Branislav Radoviq.
“Minatori i nacionalitetit serb i lindur në vitin 1962 ka vdekur të martën mbrëma, pas lëndimeve të marra në vendin e punës. Rrethanat nuk dihen akoma”, ka thënë Radoviq.
Ai tutje ka bërë të ditur se trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë, sipas Kossev, ky është rasti i dytë i vdekjes në këtë minierë në 12 muajt e fundit./Insajderi.com