Vdes pesë vjeçarja që u aksidentua nga një polic në Kaçanik

Vdes pesë vjeçarja që u aksidentua nga një polic në Kaçanik

Pesë vjeçarja e cila ishte aksidentuar nga një zyrtar policor ditë më parë, ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të martën, njofton Insajderi.

Siç njofton policia, aksidenti kishte ndodhur më 16 qershor, në fshatin Stagovë të Kaçanikut, kur zyrtari policor me inicialet L.D., 51 vjeçar, ishte jashtë detyrës.

“Deri te aksidenti i komunikacionit, dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve Golf me targa vendore, po qarkullonte nga drejtimi i lagjes ‘’Dashi’’ në drejtim të magjsitrales, në rrugën ‘’Ekrem Gudaqi ‘’ të fshatit Stagovë, ndërsa këmbësorja, ishte duke lëvizur prej anës së djathtë për të kaluar në anën e majtë të kësaj rruge, ku në atë moment, me pjesën e përparme, goditet nga automjeti Golf, ku i shkakton lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftim.

I dyshuari viktimën e kishte dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare të Kaçanikut.

Pasi kishte marrë ndihmën e parë mjekësore aty, e njëjta ishte dërguar për tretman të mëtutjeshëm mjekësor, në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës.

“Sot, me datën 29.06.2021, në ora 05:37, jemi njoftuar nga Qendra Klinike Universitare e Prishtinës, se këmbësorja S,M e cila ishte duke u trajtuar në repartin intensiv, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore në këtë aksident , e njëjta ka ndërruar jetë”, thuhet tutje në njoftim.

Policia tutje bën të ditur se në ditën e aksidentit, menjëherë është njoftuar Inspektorati i Policisë së Kosovës, i cili ka rekomanduar për suspendim e përkohshëm të policit të involvuar në këtë aksident, ndërkaq me vendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i njëjti ishte ndaluar në mbajtje për 48 orë, për të kaluar në procedurë të rregullt pastaj.

“Sot, me vendim të Prokurorit të rastit, trupi e pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Rasti është në procedurë të mëtejme hetimore”./Insajderi.com