Vdesin dy persona në Shqipëri pas marrjes së vaksinës kineze

Vdesin dy persona në Shqipëri pas marrjes së vaksinës kineze

Humbën jetën një 74 vjeçare nga Berati, dhe një 88 vjeçar nga Tirana, vetëm një ditë pasi kishin marrë vaksinën kineze anti-COVID ‘Sinovac’, njofton Insajderi.

Ekspertët thanë se e moshuara vuante nga hipertensioni dhe pësoi trombozë. Ndërsa viktima e dytë kishte probleme me mushkëritë dhe pamjaftueshmëri me frymëmarrjen.

Siç raporton “A2News”, Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, kishte thënë se vaksina “nuk është shkak i humbjeve të jetës dhe se jo çdo vdekje pas vaksinimit ka lidhje me të”.

Kurse nga Drejtoria e Shëndetit dhe Inovacionit në Frankfurt, mjeku Erion Dasho, ka kërkuar që të ndërpritet vaksinimi në Shqipëri me vaksinën kineze kundër COVID-19, pas vdekjes së dy personave që kanë marrë këtë vaksinë.

Dasho, ka rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë se duhet pezulluar përkohësisht fushatën e imunizimit me ‘CoronaVac’ derisa këto vdekje të investigohen dhe të provohen si të palidhura me vaksinën në fjalë.

“Kjo thirrje nuk ka aspak për qëllim të ngjallë panik dhe të dëmtojë një proces të dobishëm siç është imunizimi ndaj COVID. Thjeshtë është në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare të farmakoviligjencës. Dy humbje jete midis rreth 50 mijë të vaksinuarve është një tregues që kërkon kujdes të jashtëzakonshëm”, ka shkruar Dasho në Facebook. /Insajderi.com