Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti befasoi shumë kënd kur e uroi mbrëmë fitoren e Kosovës në ndeshjen kundër Maltës.
Në statusin e tij, ka shkruar se të rinjtë kanë shumë potencial.
“Spektakël sot në Maltë. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll është dëshmi e potencialit që kanë të rinjtë në Kosovë kur hapen mundësitë. Këta të rinj i sfidojnë shanset kundër tyre”, ka shkruar Kurti në facebook.
Por për këtë urim, Kurti nuk ka gjetur përkrahje brenda partisë që drejton.
Deri më tani veç Arbër Rexhajt, asnjë zyrtar tjetër, e as aktivist i kësaj partie nuk e uroi Kosovën për fitoren ndaj Maltës.
Shkurt për Kosovën, por duke e përmendur edhe Shqipërinë, kishte shkruar deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj.
“Kosova e përmbushi misionin e vet. Presim edhe Shqipërinë. Pastaj zemra mal!”, kishte shkruar Rexhaj.
I vetmi që tha disa fjalë për këtë temë ishte sekretari për marrëdhënie me jashtë, Boiken Abazi.
Ai tha se urimi i Albin Kurtit nuk është ndryshim qëndrimesh, duke insistuar se duhet të ketë një kombëtare.
“Rezultati i sportistëve të Kosovës në ndeshjen e futbollit me Maltën sot ishte mbresëlënës. Gëzimi do kishte qenë edhe më i madh po të kishim një ligë e kombëtare të bashkuar, që do e rriste edhe më shumë cilësinë e gjithë sportit shqiptar, e do korrte edhe më shumë fitore. Këta që flasin për ndryshim qëndrimesh janë ose cinik e dashakeq, ose të cekët. Çmimet e fituara nga sportistët dhe artistët e rinj shqiptarë nga Kosova, nuk na bëjnë ta duam më pak bashkimin kombëtar. Përkundrazi, na e shtojnë vullnetin për të punuar edhe më shumë drejt bashkimit”, ka shkruar Abazi.
Ndryshe ndaj këtij postimi të Albin Kurtit, kishte reaguar edhe deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi.
Ai ka thënë se Kurti ndryshon shpesh qëndrimet, pavarësisht që nuk e pranon. /Insajderi.com