“Ti e din kush jam unë! Veç mos u zatetshim!” – kërcënime dhe parregullsi në mbledhjen e Parlamentit të Studentëve

“Ti e din kush jam unë! Veç mos u zatetshim!” – kërcënime dhe parregullsi në mbledhjen e Parlamentit të Studentëve

Është anuluar mbledhja konstituive e Parlamentit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës e mbajtur të hënën, pasi ajo është shoqëruar me parregullsi dhe kërcënime e shantazhe ndaj deputetëve të parlamentit.

Nëntë deputetë të Parlamentit të Studentëve kishin marrë iniciativë për të ushtruar mocion votëbesimi për rrëzimin e kryetarit të Parlamentit të Studentëve, Arben Elshanit, të cilin ky grup studentësh e cilëson si “të kapur nga politika dhe të manipuluar nga individë të tjerë”.

Por, kjo iniciativë e tyre nuk i pëlqeu grupit të studentëve që mbajnë kryesimin e Parlamentit të Studentëve.

Njëri prej studentëve që bën pjesë në grupin e nëntë deputetëve që kishin planifikuar mocionin e votëbesimit ndaj kryetarit Arben Elshani, është kërcënuar nga Arian Janova, ish-udhëheqës i organizatave studentore të Universitetit të Prishtinës – i afërt me kryesuesin e Parlamentit, Arben Elshanin.

Para se të mbahej mbledhja, Janova ka telefonuar njërin prej deputetëve të PS-së, nga organizata studentore “Reforma”, dhe e ka kërcënuar në këmbim të tërheqjes së mandatit të tij prej deputeti.

Në disa incizime që ka siguruar Insajderi, Janova dëgjohet duke e kërcënuar deputetin.

“Po të kallxoj qitu. Veç mos u zatetshim, maje në mend! Edhe shtëpinë ta di, maje në mend! Se më ke pre në besë”, i thotë Janova, deputetit që përfaqëson organizatën studentore “Reforma” në Parlamentin e Studentëve.

“Jo Arjan, unë nuk e kom njet mi thanë kërkujna. Ama na mundemi mu ballafaqu live, por në momentin e parë që më prekni… unë ju besoj plotësisht strukturave të shtetit. Ama Arjan unë po kam qejf nesër e pasnesër me dalë mu pa në sy”, i thotë deputeti, Janovës.

“Ja, unë me ty n’sy mu pa kurrë. Po të kallxoj qitu, veç mos u zatetshim se m’ke pre në besë”, i përgjigjet Janova, deputetit të Parlamentit Studentor.

Janova i thotë deputetit se “ti ke votë [në Parlamentin e Studentëve, v.j]” dhe për këtë arsye ka problem me të.

“Prit veç pak. Ata nuk kanë votë, ti ki votë. Ti je prej filozofikut. S’kam problem me ta”, vazhdon Janova, teksa vazhdon me kërcënime e shantazhe: “Ngo bre dosti jem. Ti e din kush është Arjani edhe çfarë pushteti ka. Ma mirë se unë ti e din.”

Arian Janova ishte dënuar me tetë muaj burgim në vitin 2017 për ushtrim të ndikimit në Universitetin e Prishtinës.

Janova së bashku me disa të tjerë studentë dhe asistentë në UP, ishin dënuar nga shkalla e parë e gjykatës, me akuzën se kanë marrë shuma të parave nga 4 mijë deri në 10 mijë euro për regjistrimin e studentëve në UP në Fakultetin e Mjekësisë, atë të Edukimit etj., si dhe për dhënien e provimeve kryesisht në Fakultetin Ekonomik.

Ndërkaq, një burim brenda Parlamentit të Studentëve i ka thënë Insajderit se dyshon që në parregullsi janë përfshirë edhe pjesëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, të cilët siç ka thënë ai, kanë hequr padrejtësisht nga lista deputetin Haris Ademi dhe e kanë zëvendësuar me një person tjetër.

“Sot në mbledhjen konstituive ka ardhur zëvendësuesi i Haris Ademit. Nuk dihet as kush është, as a është i certifikuar dhe as a është student i Universitetit”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti.

Se Haris Ademi ishte zëvendësuar në mënyrë të jashtëligjshme në momentet e fundit, dëshmon edhe vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i datës 10 nëntor 2018.

 
Vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës lidhur me deputetët e certifikuar për mbledhjen konstituive të 11 dhjetorit

Në listën e deputetëve të certifikuar me vendim të Këshillit Drejtues për pjesëmarrje në mbledhjen konstituive të Parlamentit të Studentëve ndodhet edhe Haris Ademi, deputet i organizatës studentore OPS.

Megjithatë, në mbledhjen e mbajtur sot në Parlamentin e Studentëve të UP-së, Haris Ademi u zëvendësua me një person tjetër, edhe pse ai figuron edhe në listën e anëtarëve të Parlamentit të Studentëve me mandat deri më 30 gusht të vitit 2019. /Insajderi.com