Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar pas publikimit të një artikulli në media, një fjali e të cilit dëshmon se publikimi i artikullit kishte për qëllim dëmtimin e imazhit të presidentes.
Artikulli fillimisht ishte publikuar në “Gazetën Express”, e më pas ishte shpërndarë nga agjencia e lajmeve “Ekonomia Online”.
“Mundesh me hjekë krejt, veç nëse do mi qepu Vjosës”, ishte një nga fjalitë në artikullin e publikuar, që si duket autori kishte harruar ta largojë.
“E pabesueshme, por e dëshmuar! Mbase jo për të parën herë…Në fakt, ky tregim është i moçëm për një pjesë të mediave, gjë për të cilën edhe është krijuar njëfarë opinioni publik se mediat planifikojnë se kujt duhet t`i bien në qafë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka përmendur edhe përvojën e tij si gazetar, duke thënë se “nuk ekziston një mënyrë e tillë e punës, nuk ekziston një sugjerim i tillë dhe as një qasje e tillë”.
“Fatkeqësisht, kohërat kanë ndryshuar, porse jo rregullat. Mediat apo gazetarët e caktuar mund të kenë simpati, animozitet apo edhe inati kundrejt Presidentes, porse në profesion duhet të manifestojnë profesionalizëm”.
“Pra, mund të mos e duan, pëlqejnë, simpatizojnë apo urrejnë, por thjesht duhet të raportojnë apo edhe kritikojnë mbi bazën e fakteve”.
Mes tjerash, Kupina pohon se lëshimet e tilla nuk janë as të rastësishme e as të paqëllimshme.
“Ngase te një pjesë e medias sulmet kuturu ndaj Presidentes kanë marrë konotacion fushate, të motivuara edhe politikisht”.
“Prandaj, gazetarë e redaktorë të këtyre mediave lirohuni. Më shumë arsye, më shumë profesionalizëm, më shumë fakte, më shumë kritika, e më pak mllef, shpifje e denigrim. Presidentja Vjosa Osmani është edhe e juaja!”./Insajderi.com