“Veç nëse do mi qepu Vjosës’, nga Presidenca reagojnë për lajmet “e porositura” kundër Osmanit

“Veç nëse do mi qepu Vjosës’, nga Presidenca reagojnë për lajmet “e porositura” kundër Osmanit

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar pas publikimit të një artikulli në media, një fjali e të cilit dëshmon se publikimi i artikullit kishte për qëllim dëmtimin e imazhit të presidentes.

Artikulli fillimisht ishte publikuar në “Gazetën Express”, e më pas ishte shpërndarë nga agjencia e lajmeve “Ekonomia Online”.

“Mundesh me hjekë krejt, veç nëse do mi qepu Vjosës”, ishte një nga fjalitë në artikullin e publikuar, që si duket autori kishte harruar ta largojë.

E sipas Kupinës, ky formulim dëshmon se “në Kosovë ka media, redaktorët e të cilëve në një mëngjes të kthjellët me diell, porosisin gazetarët se kujt duhet t`i qepojnë”.

Bekim Kupina dhe Vjosa Osmani

“E pabesueshme, por e dëshmuar! Mbase jo për të parën herë…Në fakt, ky tregim është i moçëm për një pjesë të mediave, gjë për të cilën edhe është krijuar njëfarë opinioni publik se mediat planifikojnë se kujt duhet t`i bien në qafë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka përmendur edhe përvojën e tij si gazetar, duke thënë se “nuk ekziston një mënyrë e tillë e punës, nuk ekziston një sugjerim i tillë dhe as një qasje e tillë”.

“Fatkeqësisht, kohërat kanë ndryshuar, porse jo rregullat. Mediat apo gazetarët e caktuar mund të kenë simpati, animozitet apo edhe inati kundrejt Presidentes, porse në profesion duhet të manifestojnë profesionalizëm”.

“Pra, mund të mos e duan, pëlqejnë, simpatizojnë apo urrejnë, por thjesht duhet të raportojnë apo edhe kritikojnë mbi bazën e fakteve”.

Mes tjerash, Kupina pohon se lëshimet e tilla nuk janë as të rastësishme e as të paqëllimshme.

“Ngase te një pjesë e medias sulmet kuturu ndaj Presidentes kanë marrë konotacion fushate, të motivuara edhe politikisht”.

“Prandaj, gazetarë e redaktorë të këtyre mediave lirohuni. Më shumë arsye, më shumë profesionalizëm, më shumë fakte, më shumë kritika, e më pak mllef, shpifje e denigrim. Presidentja Vjosa Osmani është edhe e juaja!”./Insajderi.com