Veliu: Abdixhiku me veprime skandaloze po bën spastrim të brendshëm

Veliu: Abdixhiku me veprime skandaloze po bën spastrim të brendshëm

Kryetari i deritanishëm i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Agim Veliu, ka reaguar ndaj vendimit të kryesisë së partisë lidhur me kandidimin e Ekrem Hysenit në garën për kryetar të Podujevës dhe kalimin e të gjitha kompetencave të kryetarit të degës te ai, transmeton Insajderi.

Veliu këtë vendim e quajti skandaloz dhe arbitrar.

“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Podujevë, Ashtu siç është informuar tashmë edhe opinioni i gjerë, Kryesia Qendrore e LDK-së më 09.06.2021 ka marrë një vendim, sa skandaloz dhe në kundërshtim me Statutin e partisë, po aq edhe të pamoralshëm, duke caktuar në mënyrë arbitrare kandidatin në garën për Kryetar të Komunës së Podujevës në zgjedhjet lokale dhe në të njëjtën kohë të njëjtit ia delegon të gjitha kompetencat të udhëheqë me Degën e LDK-së në Podujevë”, ka shkruar ai.

Veliu më tej ka akuzuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, për këtë vendim që thotë se i është përcjell sot e që thotë se ky veprim i kryetarit është spastrim i brendshëm në emër të organizimit të brendshëm.

“Për vendimin arbitrar dhe të paligjshëm të Kryesisë dhe të Kryetarit Abdixhiku, fillimisht isha informuar përmes mediave. Ndërsa, sot (e diel) më është përcjell vendimi skandaloz i nënshkruar nga kryetari i partisë, i cili nuk shquhet vetëm për shkelje të Statutit të partisë, por edhe për gabime drejtshkrimore, mbase nga ngutia për ta “përligjur” sa më shpejt shkarkimin Kryetarit të Degës në Podujevë”

“Tërë kjo maskaradë e Kryetarit Abdixhiku dhe përkrahësve të tij në Kryesi nuk është asgjë tjetër veçse një lojë e ndyrë dhe përpjekje për ta kamufluar vendimin në emër të kinse riorganizimit të brendshëm (lexo: spastrimit të brendshëm), të prezantuar në “Platformën e Kryetarit të LDK-së 2021-2023”, ka shkruar ai. /Insajderi.com