Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka njoftuar se pas kërkesës së kryeministrit Avdullah Hoti, për të aktivizuar Planin e Reagimit Kombëtar, janë mbledhur për të diskutuar për vendimet që mund të merren më tutje në lidhje me situatën me pandemisë Covid-19, njofton Insajderi.
Veliu këtë e bëri të ditur në një konferencë për media pas përfundimit të takimit të grupit ndërinstitucional për menaxhimin e krizave.
“Sapo përfunduam takimin e grupit ndërinstitucional, pas kërkesës së kryeministrit për të aktivizuar Planin e Reagimit Kombëtar. Ne e kishim një informacion nga ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj për gjendjen aktuale sa i takon pandemisë dhe një raportim të Policisë së Kosovës në lidhje me zbatimin e masave të Qeverisë”, ka thënë Veliu.
Ministri i Brendshëm po ashtu tregoi se nga nesër do të jenë të gatshëm të marrin vendime.
“Po ashtu diskutuam nevojën e riaktivizimit të shtabeve në nivel komunal dhe theksuam se që nga nesër ne do të jemi gatshëm të marrim vendime”, tha tutje Veliu.
Ai tutje u shpreh se janë dakorduar që të aktivizohet Qendra Operative në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshëm dhe nga e cila më pas do të jepen rekomandime për qendrat në nivel lokal. /Insajderi.com/