Veliu pas shkarkimit nga pozita e kryetarit të LDK-së në Podujevë: Vendim ilegal

Veliu pas shkarkimit nga pozita e kryetarit të LDK-së në Podujevë: Vendim ilegal

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës e kanë shkarkuar Agim Veliun nga posti i kryetarit të degës së LDK-së në Podujevë. Ky i fundit është shprehur kundër këtij vendimi.

Ndonëse kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kryetari i deritanishëm i degës në Podujevë, Agim Veliu nuk ka shprehur interesim për të rikandiduar, Veliu thotë se marrëveshja është bërë pa pëlqimin e tij.

Madje, këtë vendim Veliu e quan vendim ilegal.

“Është ba një marrëveshje pa pëlqim. Kemi qenë duke diskutuar me e ba një marrëveshje të madhe e mi tejkalu të gjithat. Ata sot paskan marrë vendim ilegal, ilegjitim për mua. Është në kundërshtim me statutin e LDK-së. Nuk ka të drejtë askush pa proces me e ndryshu kryetari, me zgjedhë, shkarku ose me e ngarku. Për këtë punë Kuvendi është”, ka thënë Veliu për portalin ‘Indeksonline’.

Tutje ai është shrehur se në asnjë rrethanë nuk do të pajtohet me një vendim të tillë.

“Në këtë rast Kryesia ka marrë vendim kundër statutit. Nuk ka të drejtë për këtë vendim. Ky është vendim që është marrë pa koordinimin e strukturave të LDK-së. Ky është një vendim ilegal për mua. Jolegjitim”, thotë Veliu.

E të gjitha kompetencat e degës së LDK-së në Podujevë i kanë kaluar kandidatit të kësaj partie për kryetar të kësaj komune, Ekrem Hysenit. /Insajderi.com