
Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka reaguar pasi një pjesëtar i Policisë së Kosovës është plagosur me armë zjarri mëngjesin e së premtes, nga disa persona që po tentonin të grabisnin para nga një bankomat në Prishtinë, njofton Insajderi.
Veliu tha se sulmet ndaj zyrtarëve policorë janë të papranueshme dhe MPB-ja dënon ashpër çdo sulm ndaj zyrtarëve të saj.
Tutje, ministri shprehu gatishmërinë që të përkrah punën e palodhshme të tyre.
“Policia e Kosovës është shembull për punën, përkushtimin, integritetin dhe profesionalizmin jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, mirëpo ajo po goditet shumë herë nga ata që për interes kanë de-stabilizimin, kaosin dhe përfitimet nga aktivitetet kriminale”.
“Secili zyrtar policor është një kujtesë e rreziqeve me të cilat përballet Policia jonë gjatë shërbimit ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së rendit dhe sigurisë. Shoqëria jonë duhet t’i dënojë këto akte dhe të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës në parandalimin dhe zbulimin e rasteve të tilla”, thuhet në njoftimin për media./Insajderi.com