Veliu thotë se situata me COVID-19 në Kosovë është shumë serioze

Veliu thotë se situata me COVID-19 në Kosovë është shumë serioze

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka thënë se situata e krijuar nga pandemia Covid-19 në Kosovë është shumë serioze.

Veliu ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, me të cilin diskutuan për situatën e përgjithshme në menaxhimin e pandemisë dhe për masat e ndërmarra për tejkalimin e kësaj situate mjaft të vështirë dhe të ndjeshme për vendin tonë.

Me këtë rast, Veliu e njoftoi kryetarin Muhaxheri për takimin e fundit të Grupit Ndër-Institucional për Menaxhimin e Incidenteve, në të cilin, pos tjerash, u kërkua edhe rikthimi në funksion të plotë i shtabeve emergjente komunale, të cilat gjithsesi se duhet të udhëhiqen dhe koordinohen nga kryetarët e komunave.

Veliu theksoi se situata me pandeminë është shumë serioze dhe kërkoi që të apelohet në të gjithë qytetarët, sidomos ata me përgjegjësi institucionale, përfshirë kryetarët e komunave, të janë në krye të detyrës, me qëllim të zbatimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e COVID-19. /Insajderi.com/