Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, njëherësh edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ende nuk e di nëse do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen më 14 shkurt të këtij viti, transmeton Insajderi.
“Jemi në proces… Sa të kam konkrete diçka, ju informoj”, tha Veliu për express.
Lidhja Demokratike e Kosovës dje ka mbajtur mbledhje me kryetarët e Degëve, ndërsa pas kësaj mbledhje është deklaruar edhe nënkryetari tjetër i partisë, Lutfi Haziri, i cili tha se do të përpiqen që në ditët në vijim t’i kryejnë të gjitha obligimet ligjore dhe kushtetuese që u duhen për zgjedhje.
“Ne jemi të gatshëm që edhe nesër edhe në ditët në vijim që t’i përmbushim obligimet ligjore dhe kushtetuese, në mënyrë që në afate ligjore emrat e LDK-së të zbardhen. Do të jenë emra kredibil, burra e gra që përfaqësojnë ideologjinë dhe politikën e LDK-së duke përfaqësuar rininë tonë por edhe komunitete e tjera, përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë”, ka deklaruar ai. /Insajderi.com