Kastrijot Krivaqa, vëllai i të dyshuarit kryesor për vrasjen e 18-vjeçares M.O., në Ferizaj, Dardan Krivaqa, ka reaguar publikisht pas ngjarjes së rëndë që ndodhi të dielën e 22 gushtit, njofton Insajderi.com.
Ai me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se krimi makabër që ka bërë vëllai i tij, i ka lënë pa fjalë të gjithë, duke shtuar se akti i kryer nga Dardani ka njollosur dhe lënduar familjen e tyre.
Derisa shprehi ngushëllimet e tij për familjen e viktimës, Kastrijoti nuk hezitoi të tregonte për problemet që siç thotë ai, ia ka sjellë i dyshuari për vrasjen e të resë. Madje thotë se asnjëherë nuk i ka dëgjuar e as përfillur këshillat e tij.
“Unë si vëlla i madh jam përkujdesur për familje qysh në moshë shumë të re nga se heret kam mbetur pa Baba, por jam munduar që ‘vëllaun’ ta këshilloj dhe ndihmoj, por ai asnjëherë nuk ka dëgjuar askënd”, ka shkruar më tej vëllai i dorasit.
Ai më tej ka kërkuar që ndaj vëllait të tij të shqiptohet dënimi meritor.
“Me rastin e Kapjes dhe Arrestimit të tij nga Policia e Kosovës, si dhe ndihmës që bënë Qytetarët, Unë i përgëzoj dhe shpresoj se Ligji do t’ja shqiptojë Dënimin Meritor, si dhe shpresoj që ky Krim Makaber do të na Mobilizojë të gjithë Neve për t’i evituar Krimet dhe të luftojmë për Mirëqenien e Fëmijeve tanë”, ka shkruar ai. /Insjderi.com