Vëllai i kryeministrit: Kërkova shërimin që nuk mund ta gjeja në Kosovë

Vëllai i kryeministrit: Kërkova shërimin që nuk mund ta gjeja në Kosovë

Ragip Mustafa, vëllai i kryeministrit Isa Mustafa, ka folur për Klan Kosova, për të rrëfyer personalisht shkaqet e kërkimit të azilit në Gjermani, për të cilin kishte raportuar Insajderi.

Ai ka thënë se kërkoi azil në Gjermani për të kërkuar shërimin të cilin nuk mund ta gjej në Kosovë.

“Kam shkuar në spital në Prishtinë te doktor Hajdini e ka mbiemrin, më ka thënë që nuk ka shpëtim. Kam shkuar në Shkup ma ka caktuar terminin dhe jam bërë operacion”, ka thënë Mustafa.

Shërim nuk kishte gjetur as në vendet fqinje.

Ka prezantuar një letërnjoftim të Bullgarisë për të treguar nënshtetësinë bullgare që i mundëson atij të lëvizë lirshëm në Bashkimin Evropian.

Por ka thënë se ka kërkuar azil në Gjermani me shpresën që shteti gjerman t’ia mbuloj shpenzimet.

“Nuk kam shkuar ilegalisht. Nuk kam bërë asgjë kundër ligjit. I kom pyet disa shqiptar aty, më kanë thënë më mirë është me lyp azil, ndoshta të shërojnë pa pare, se unë aq shumë pare nuk kam”, ka thënë Ragip Mustafa.

Insajderi kishte raportuar  se ai ka kërkuar azil në dy shtete të Bashkimit Evropian: Francë dhe Gjermani. Të dyja shtetet ia kanë refuzuar kërkesën. 

Aktualisht Ragipi i cili jeton vetëm me gruan, , me pensionin që merr thotë se i blenë barnat që i nevojiten.  E derisa vonë thotë se u ndihmua edhe nga vëllezërit, përfshirë edhe Isën.

“Mi ka ble deri tash Isa… tash prej që më ka dalë pensioni nuk i kam thënë më”, ka thënë Ragip Mustafa.