ryetar paralel i ko" />

Me vendim të Beogradit, përmes “Luginës së diellit” në Qeverinë e Kosovës

Me vendim të Beogradit, përmes “Luginës së diellit” në Qeverinë e Kosovës

Ministri i ri në Qeverinë e Isa Mustafës, Ivan Todosijeviq përpos që ishte kryetar paralel i komunës se Zveçanit i emëruar direkt me vendim të Qeverisë së Aleksandër Vuçiqit, ai njihet edhe si një nga iniciatorët e një prej projekteve më të përfolura të Serbisë në Kosovë, “Lugina e Diellit”.

Kishte qenë qershori i vitit të kaluar kur në Mitrovicën e Veriut kishte nisur ndërtimi i 300 shtëpive me një fond të ndarë nga Qeveria e Serbisë, në një luginë ndërmjet Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit, kur Todosijeviq, kishte dalë përkrah Shefit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë dhe kreut të kishës ortodokse për të vënë gurthemelin.

Todosijeviq që të enjten është emëruar ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal ishte shfaqur kundër Qeverisë së Kosovës.

Ai kishte akuzuar Qeverinë e Kosovës si një ndër faktorët kryesor në pengimin e kthimit të serbëve.

“Nëse do të kishte vullnet të mirë Prishtina në mënyrë të papengueshme do të lëshonte lejet e tilla nga pala kosovare. Është vetëm çështja e vullnetit të mirë të Prishtinës, por jemi dëshmitarë të këtyre 17 viteve të fundit, Prishtina në asnjë moment nuk ka treguar vullnetin e mirë për të ndihmuar kthimin e popullatës serbe në Kosovë dhe Metohi”, kishte thënë Todosijeviq, për “Evropën e Lirë”, duke akuzuar autoritetet qendrore në Prishtinë, për siç tha, tentim për të penguar procesin e nisur.

Qeveria e Kosovës e kishte cilësuar ndërtimin e këtyre shtëpive si të kundërligjshme madje e kishte akuzuar të papranueshëm implikimin e Qeverisë së Serbisë që duke “nxitur komuna të caktuara të Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprime të paligjshme dhe në dëm të relacioneve ndërmjet qytetarëve të Kosovës”.

Por pikërisht Todosijeviq ishte ai që bashkë me Qeverinë e Beogradit në maj të vitit 2016, kishte prezantuar në Beograd planin për ndërtimin e lagjes “Lugina e Diellit”.

Si kryetar paralel i Komunës së Zveçanit, Ivan Todosijeviq, e kishte cilësuar lagjen “Lugina e Diellit” një projekt të madh, më i madhi i kryer nga shteti në territorin e Kosovës që nga vitet e 90-ta.

Ai nuk e kishte lënë pa përmendur faktin se me këtë projekt, “Serbia po tregon se Kosova është pjesë e saj e pandashme dhe e patjetërsueshme dhe se është e përkushtuar për kthimin dhe mbijetesën e popullit serb”./Insajderi.com