
Nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë, nuk mund t’i përdorin më telefonat celularë në objektet shkollore.
Kjo bazuar në një vendim të Ministrisë së Arsimit, i cili e ndalon përdorimin e telefonave nëpër institucionet e arsimit parauniversitar në vend.
Ky vendim i cili nuk parasheh ndonjë masë ndëshkuese në rast të shkeljes, megjithatë është mirëpritur në shkollat e Kosovës.
Nxënësit thonë se mospërdorimi i telefonave është në favor të tyre, por ka raste kur edhe e kanë të nevojshëm atë.
Në anën tjetër, prindërit konsiderojnë se ky vendim është i qëlluar.
Edhe mësimdhënësit, ndonëse e përkrahin këtë vendim të Ministrisë së Arsimit, thonë se nuk është lehtë i zbatueshëm.
Nëpër shkolla e pranojnë që përdorimi i telefonave nga ana e nxënësve në të shkuarën u ka sjellë vetëm telashe dhe pengesa në procesin mësimor.
Për shkak të përdorimit pa kriter të telefonave, marrëdhënia me librin po shkëputet dita-ditës, por fenomeni i përdorimit të telefonave sjell edhe pasoja të tjera te fëmijët.
E, këtë praktikë e ka vënë në funksion edhe Shqipëria, që nga fillimi i vitit të ri shkollor.
Ndërsa, më parë kështu kishte vepruar Ministri francez i Arsimit, Jean-Michel Blanquer, i cili urdhëroi që në gjithë vendin të ndalohet përdorimi i telefonave gjatë procesit mësimor.