Vendimi për 10 vitet e ardhshme- çfarë shkruajnë “Der Spiegel” dhe “Guardian” për mbylljen e kazinove në Kosovë?

Vendimi për 10 vitet e ardhshme- çfarë shkruajnë “Der Spiegel” dhe “Guardian” për mbylljen e kazinove në Kosovë?

“Kosova ndalon lojërat e fatit për një dekadë”, “Kosova ndalon lojërat e fatit pas vrasjeve në kazino” dhe “Kosova ndalon të gjitha lojërat e fatit” janë disa prej kryetitujve të medieve të mëdha ndërkombëtare, lidhur me miratimin e Ligjit për ndalimin e Lojërave të Fatit në Kosovë.

Gazetat prestigjoze evropiane, si “The Guardian” e “Daily Mail” në Britani të Madhe dhe “Der Spiegel” në Gjermani kanë raportuar të premten për ndalimin e të gjitha lojërave të fatit në Kosovë, një ditë pas miratimit të Ligjit në Kuvendin e Kosovës.

“Kosova ka ndaluar të gjitha lojërat e fatit për dekadën e ardhshme në një përpjekje për të goditur krimin pasi dy punëtorë të kazinove u vranë javën e kaluar. Bastet, sidomos prognozat sportive, janë bërë jashtëzakonisht të popullarizuara në vitet e fundit në Kosovë – një vend ku rreth një e treta e 1.8 milion banorëve të saj janë të papunë”, shkruan gazeta “The Guardian”, në versionin online të saj.

Siç shkruan gazeta britanike, në një fjalim në parlament të enjten, kryeministri Ramush Haradinaj tha se kjo masë ka për qëllim “forcimin e sigurisë publike”.

“Ne nuk do të lejojmë që këto vende të jenë arenë e krimit që marrin jetët e njerëzve,” shkroi Haradinaj më vonë në Facebook.

Qeveria e Kosovës përfiton rreth 20 milion euro (17 milionë funte) çdo vit përmes taksave mbi lojërat e fatit.

Më parë këtë javë, Haradinaj tha se vetëm një llotari e kontrolluar nga shteti do të lejohej të veprojë.

“Është kaos total dhe është mirë që ta ndalojmë këtë,” tha ai në një konferencë shtypi disa ditë më parë. /Insajderi.com